Federata Serbe e Futbollit ka zyrtarizuar vendimin për zhvillimin e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë më 11 tetor, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd. Ky impiant, i cili është stadiumi më i madh në vend me një kapacitet prej 51,755 vendesh, është shtëpia e klubit Crvena Zvezda dhe u ndërtua mes viteve 1960–1963. Stadiumi u hap më 1 shtator 1963 dhe iu nënshtrua një rinovimi në vitin 2017.
Sipas njoftimit zyrtar të Federatës Serbe, përzgjedhja e stadiumit u bë pas një analize të detajuar, duke marrë parasysh aspektin sportiv, organizativ dhe të sigurisë, si dhe në konsultim me UEFA-n.
“Ndeshjet kualifikuese të ekipit kombëtar serb kundër Anglisë më 9 shtator dhe Shqipërisë më 11 tetor do të luhen në stadiumin ‘Rajko Mitić’ në Beograd. Ndërsa për ndeshjen e fundit në shtëpi, kundër Letonisë më 16 nëntor, është zgjedhur stadiumi ‘Dubocica’ në Leskovac”, thuhet në njoftimin e Federatës.
Gjithashtu, institucioni drejtues i futbollit serb i bën thirrje tifozëve të mbushin stadiumin dhe të mbështesin kombëtaren në këto ndeshje të rëndësishme për kualifikimin drejt Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
sfidanti.al