Botërori rus pati jo vetëm fitoren e një ekipi aziatik, por edhe të njërit nga Afrika Ishte Senegali që mbajti lart nderin e kontinetit, duke triumfuar me meritë ndaj Polonisë, në ndeshjen e grupit H, luajtur në Moskë. Polaku Çionek shkaktoi autogol në portën e tij në pjesën e parë, ndërsa Niang dyfishoi rezultatin në pjesën e dytë, duke konkretizuar epërsinë e skuadrës afrikane.
Në pjesën e parë, të dyja skuadrat nuk arritën të kënaqnin rreth 40 000 tifozët në stadiumin e Spartakut të Moskës. Polonia pati shpresë tek lojtarët e saj ofensivë si Levandovski, Milik apo Zielinski, por ata u bllokuan nga mbrojtja dhe mesfusha shumë e fortë e Senegalit. Zhgënjeu sidomos Levandovski, por sulmuesi i Bajernit e pati të vështirë sepse nuk u shërbye siç duhet nga shokët e skuadrës.
Goli i vetëm për ta u shënua nga Krishoviak, 4 minuta para fundit. Vlen të theksohet se në këtë Kupë Bote, deri tani nuk ka pasur asnjë ndeshje pa gola, ndonëse mjaft prej tyre janë mbyllur me rezultatin 1-0. Në grupin H, kryesojnë Senegali e Japonia me nga 3 pikë, ndërsa Polonia e Kolumbia nuk kanë asnjë pikë.
Sfidanti.al