Nuk pi, nuk bën jetë nate, por shënon gola, ky është Kejni

Janë të rrallë futbollistët si ai, duket sikur jeton në kohët e kaluara. Harri Kejn nuk e ka pasion pijen, si shumë lojtarë të tjerë anglezë (Gaskoin apo Runi, për shembull), as nuk bën jetë nate, diçka që duket mënyrë jetese e çdo të riu në Perëndim. Jo vetëm kaq, por ai është burrë i një gruaje, i lidhur me femrën e tij që në bankat e shkollës.

Harri dhe Kejt Gudlendi kanë një fëmijë, ndërsa pas shumë vitesh lidhjeje, erdhi propozimi për martesë, bërë në një plazh të Bahamasit, gjatë pushimeve. Përgjigja ishte, natyrisht, “po”, dhe Kejn u ndje edhe më i plotësuar si njeri.

Tre vitet e fundit kanë qenë të shkëlqyer për sulmuesin në aspektin sportiv, duke fituar dy herë Këpucën e Artë në Premier Ligë, duke dalë këtë vit i dyti pas Salahut, dhe duke qenë shënuesi më i mirë në botë për vitin 2017.

Dy golat e shënuar ndaj Tunizisë, i pari dygolësh anglez në Botëror që nga Lineker në 1990, i japin shpresë tifozëve se kanë gjetur një yll të ri të sulmit, ashtu si Xhef Hërsti, Linekeri apo Shirëri. Tifozët kanë nisur ta quajnë “Kapiten Mrekullia” (Captain Marvel).

Sfidanti.al