Anglia ka ende disa “punë” për të përfunduar deri në mbyllje të Europianit, gjithnjë nëse gjithçka do të shkojë mbarë, ndërsa ndihet se “futbolli po kthehet në shtëpi”. Jo më kot ndeshjet gjysmëfinale si dhe finalja do të luhen në “Uembli” të Londrës, dhe trajneri Garet Sauthgejt është shumë optimist, ndërsa u bë i dyti teknik në historinë e Anglisë që arrin në dy gjysmëfinale të turneve të mëdhenj, në Kupën e Botës 2018, dhe tani në Euro 2020. Më parë këtë e kishte bërë vetëm Sër Alf Ramsej.
“Një fitore përrallore, – pranoi ai, – ne luajtëm vërtet mirë ndaj një kundërshtari të rrezikshëm si Ukraina, duke mos toleruar në asnjë moment. Dua që të shkojmë edhe dy hapa më tej. E dimë se çfarë presin tifozët nga ne, ndërsa po fitojmë gjithnjë e më shumë besim”.
I lumtur edhe kapiteni Harri Kejn që tani ka 3 gola në Kampionatin Europian. “Ishte mbrëmja e përsosur, – deklaroi kapiteni Kejn, – ishte një paraqitje e madhe, ndeshje e paharruar. Pati shumë presion mbi ne, pasi ishim favoritët. Shënuam 4 gola dhe nuk pësuam asnjë. Jemi gati për sfidën e radhës, kemi më shumë përvojë se në Kupën e Botës”. Gjysmëfinalja do të luhet në 7 korrik në “Uembli” ndaj Danimarkës në orën 21:00.
Sfidanti.al