Për një personazh të tillë thuhet se nuk vdes kurrë. Kristiano Ronaldo mund të mos jetë ai lojtari magjik i epokës së Realit të Madridit, por gjithsesi është në gjendje të realizojë mbrëmje të tilla që meritojnë të quhen të jashtëzakonshme. E tillë ajo në fitoren 3-2 të Mançester Junajtidit ndaj Totenhemit në Premier Ligë, kur superylli portugez shënoi të tre golat. Tashmë, ai mund të cilësohet si golshënuesi më i mirë i futbollit në të gjitha kohët, duke pasur 806 rrjeta në karrierë, siç raporton televizioni amerikan ESPN, 1 më shumë sesa ish-rekordmeni çek, Jozef Bican.
Jo vetëm kaq, por CR7 ishte dominuesi i ndeshjes në “Old Traford”. Gjatë sfidës pati 10 gjuajtje drejt portës nga Junajtidi, dhe 8 ishin të Ronaldos, 6 nga ato gjuajtje ishin në kuadrat, dhe 5 prej tyre ishin të Kristianos. Pas ndeshjes, ai u takua me legjendën e futbollit amerikan, Tom Bredi, që u ndodh në “Old Traford”. “Gjithmonë një kënaqësi dhe privilegj të shkëmbesh disa mendime dhe ide me një tjetër më të mirë në botë”, – shkruajti CR7 në Instagram.
Roi Kin, në rolin e opinionistit për “Skaj Sportsin”, e ngriti në qiell portugezin. “Ronaldo ishte i egërsuar këtë herë, – tha ish-kapiteni i “djajve të kuq”, Roi Kin, – ka pasur kritika për të javën e kaluar, dhe ai ishte i zemëruar, por ai tregoi atë që ne kemi parë për shumë vite me radhë. Ky djalë është një gjeni, është i shkëlqyer, shënoi 3 gola fantastikë”. Gjithsesi, analistët theksuan se Mançester Junajtidi ka probleme në skuadër dhe se këto probleme mund ta dëmtojnë këtë sezon. “Djajtë e kuq” janë në garë për t’u kualifikuar për në Champions nga Premier Liga, por mund të lihen pas nga Arsenali, ndërsa Ronaldo pavarësisht shkëlqimit, mund të mos fitojë këtë sezon asnjë trofe.
Sfidanti.al