Të shkruash për futbollin, sportin më popullor, emocionin që dalldis miliona njerëz, është t’i japësh zë një vullneti të shpirtjes hyjnore që merr trajtë shpërthimi drite përmes atyre fateve që galaksia i ktheu në ngjarje. Unë nuk jam ndonjë kushedi se çfarë, i apasionuar pas futbollit, por gjithnjë kam qenë i kapur emocionalisht nga ëndrra e shumë prej atyre, të cilët nuk harruan kurrë se çfarë ishin pa u bërë të famshëm, pa u bërë milionerë, atyre që i mbetën mirënjohës mundësisë dhe falënderues fatit deri në përulësi, atyre që e ngjitën yllin e lavdisë së tyre në qiejt e vezullmtë të kohës që na mëkon dritë përmes besimit. Pothuaj se në të gjithë përcjelljen e këtyre historive kam qarë me lot gëzimi, për bujarinë me të cilin fati i shpërblen ata që besojnë, ata që guxojnë më shumë se munden dhe arrijnë të fitojnë dhe të triumfojnë mbi çdo të kaluar, çdo të sotme dhe çdo pamundësi. Sepse, thjeshtë janë histori njerëzore, me të cilat Krijuesi na dëshmon vullnetin e Tij nëpërmjet shpirtit të paepur të këtyre ëndërrimtarëve, që nuk pranuan që ëndrra e tyre të vdesë, pasioni dhe talenti me të cilën u shpërblyen të mundet para vështirësive. Rasti Ronaldinho tregon jo vetëm se si ky yll shkëlqeu, por se si rrugëtoi në univers kjo thermijë fati, për t’u shndërruar në një shpërthim. “Babai im më tha se ishte më mirë të mësoja të zotëroja topin zbathur, rrëfente ai me një sinqeritet të kulluar, kjo për të pasur ndjeshmëri në këmbë kur luaja, dhe i premtova se do ta zotëroja atë top si askush tjetër. Por ajo që mësova si të vërtetë e madhe të kësaj këshille atërore, ishte se ai nuk kishte para për të më dhënë për të blerë një palë këpucë. Kur fitova Topin tim të parë të Artë, nuk qava nga gëzimi, qava sepse nuk kisha babanë tim”, rrëfehej, Ronaldinho Gaucho. Ky nuk është thjeshtë fati i Ronaldinho, është fati i atyre që besojnë, atyre që shpërblehen nga talenti dhe ëndrra që nuk e lanë të vdiste nga vështirësitë, skamja, dhe pamundësia, por jetuan, u përpoqën duke i mëkuar pasionit të tyre shpirtin e paepur të sfiduesit, dhe fituan, u shpërbleyn duke u bërë shembuj frymëzimi.
sfidanti.al