Roma-Lazio, derbi më i zjarrtë i Italisë

Derbi i kryeqytetit italian, një nga sfidat më të nxehta, të ngarkuara e me tension, dhunë por edhe emocion, Lazio-Roma nuk është një përballje si gjithë të tjerat, ajo është ndeshja që vlen më shumë se një titull për dy skuadrat në garë. Lazio e krijuar në vitin 1900 dhe Roma 26 vite më pas numërojnë në total 5 tituj me Romën në avantazh 3-2 por më shumë se trofetë për këto dy ngjyra vlejnë përballjet direkte dhe një e tillë në të parën dhe të vetmen finale u regjistrua në 26 maj të vitit 2013 në ndeshjen e fundit të Kupës së Italisë.

Protagonist në atë sfidë ishte edhe një shqiptar, kapiteni i Kombëtares kuqezi, Lorik Cana i cili ka hyrë tashmë në historinë e bardhekaltërve të cilët krenohen me titujt e fituar në Europë me kupën e kupave dhe Superkupën Europiane, ndërsa Roma konsideron si krenari të madhe faktin që mbështetet nga pjesa më e madhe e tifozëve në rajonin e Lazios. Vitet 2000 do ta mbahen mend për superduelet që dhuruan nga një titull për çdo skuadër ku në fushë zbrisnin yje si Montella, Batistuta e Totti në njërin krah dhe Nesta, Salas apo Nedved në krahun tjetër, ndeshje që ndiqeshin deri në 170 vende, rekord që nuk është barazuar ende edhe në ditët e sotme. Totti është lojtari me më shumë ndeshje, 44 të tilla dhe me numrin më të madh të fitoreve gjithashtu, 15 në total. Roma-Lazio është gjithashtu një nga ndeshjet derbi me angazhimin më të lartë në numër të forcave të sigurisë për shkak të historikut të dhunës mes dy tifozerive ndërsa kjo sfidë nuk luhet asnjëherë në orët e mbrëmjes për arsye sigurie.

sfidanti.al