Rio Ferdinand ka qenë një mbrojtës i madh i Mançester Junajtidit dhe Anglisë, ndërsa Kevin-Prins Boateng ka qenë një mesfushor shumë premtues. Jeta e tyre ka qenë e ndryshme, ndonëse jo plotësisht. Të dy kanë fituar miliona, dhe shpesh herë i kanë shpenzuar ato në mënyrat më të kota, por gjithsesi, në këtë moment, Rio është në gjendje të kuptojë më mirë sesa Kevin-Prinsi. Ish-kampionit të Anglisë dhe të Europës me Man. Junajtidit i ka ndërruar jetë gruaja dy vjet më parë.
“Ne futbollistët shpesh flasim për humbjen e një ndeshjeje për shkak dëmtimi sikur të jetë fundi i botës, – shprehet ai, në dokumentarin e BBC-së, – më besoni, që kjo është një mendjelehtësi e madhe. Nuk krahasohet asgjë kur humbet gruan dhe nënën e fëmijëve të tu”. Ferdinand ka tre fëmijë me Rebekën, që u shua në moshën 34-vjeçare, dhe ai ia ka rritur ata me kujdesin plotësisht të tij. Edhe dokumentari i BBC-së quhet “Rio Ferdinand, të jesh edhe nënë, edhe baba”.
Po Boatengu? Ish-lojtari i Milanit dhe i Ganës ka bërë një jetë të shthurur kur ishte yll i madh i futbollit. Ai i shpenzoi paratë për gjëra tepër të kota, ose të tepruara. Një ditë bleu tri makina njëherësh, hodhi para me grushta për festa me alkool, për femra dhe për ata që i quan “shokë jo të denjë”. Gjithsesi, ai u kthjellua disi jo nga dhimbja e humbjes së një njeriu të dashur, por nga shterimi i kënaqësisë për shkak të teprimeve.
Sot, Boatengu po shkëlqen tek Las Palmasi ndërsa përpiqet ta ngrejë sërish në këmbë karrierën e tij, dhe po merret me edukimin e lojtarëve të rinj sesi ta përballojnë famën dhe pasurinë. Ai thotë sesi ka ende një foto të kohëve “të çmendura”, ku pozonte përpara një shtëpie të shkëlqyer dhe tri makinave me krenarinë më të madhe. “Kur e shoh atë foto, i them vetes sesa budalla kam qenë”, – përfundon Kevin-Prins Boateng.