Rikthehet Kategoria Superiore, luhet për… mbijetesën

“Abissnet Superiore” do të rikthehet në fushën e lojës për të zhvilluar takimet e javës së 20-të të saj. Ekipet do të zbresin në fushë ditën e nesërme dhe të shtunën, teksa kjo javë premton me takime mjaft interesante, ku ekipet do të përplasin “brirët” për 3 pikët. Gjithçka do të nisë me duelin mes Kukësit dhe Egnatias, sfidë që do të luhet në “Kukës Arena” duke nisur që nga ora 13:30 ditën e nesërme. Verilindorët janë të “dënuar” vetëm për fitoren, teksa në shtëpi kërkojnë të “shkelmojnë” krizën e rezultateve negative. Nga ana tjetër rrogozhinasit janë më të motivuar se kurrë për një tjetër rezultat pozitiv që do t’i mbante me diferencë ndaj ndjekësve.

Ndërkohë në orën 17:00 do të luhet në “Niko Dovana”. Teuta do të presë Tiranën në një takim mjaft të luftuar. Durrsakët do të kërkojnë vetëm 3 pikët për të shpresuar te largimi nga vendi i fundit, ndërsa kryeqytetasit nga ana tjetër synojnë të mbajnë hapin e kryesuesve dhe ndaj “djemve të detit” tentojnë një tjetër triumf spektakolar si në derbi ndaj Dinamos.

Një ditë më pas do të luhen 3 takimet e tjera. Dita do të nisë me duelin mes Erzenit dhe Vllaznisë që do të luhet në “Egnatia Arena”, ora 13:30. Shijakasit pas barazimit me Laçin tentojnë dhe kërkojnë fitoren për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë, ndërsa përballë do të kenë skuadrën e momentit në Superiore. Shkodranët prej 4 javësh kanë arritur të  “korrin’ vetëm fitore dhe ndaj shijakasve synojnë një tjetër 3 pikësh që do t’i mbante në “Final – Four”.

Në orën 17:00 do të luhen dy takime paralelisht në Tiranë dhe Korçë. Në “Arenën e Demave” do të sfidohen mes tyre Partizani dhe Laçi. Demat nuk duan hapa fals në shtëpi dhe ndaj kurbinasve do të luftojnë për një tjetër 3 pikësh, ndërkohë skuadra e Mirel Josës synon që të rikthehet te fitorja pikërisht në kryeqytet ndaj demave. Ndërsa në Korçë, Skënderbeu pret Dinamon. Korçarët prej 4 javësh nuk e njohin fitoren dhe synojnë që para tifozëve të tyre të “shkelmojnë” krizën, ndërkohë Dinamo pas humbjes “dramatike” me Tiranën kërkon të bëjë “autokritikë” ndaj korçarëve.

sfidanti.al