Gjithçka nisi pa zhurmë e pa bujë në 6 korrik 2019, pra tre vjet e ca më parë. Argjentina arriti një fitore të vështirë 2-1 ndaj Kilit në Kupën e Amerikës, dhe që nga ajo kohë kanë kaluar plot 1 179 ditë dhe ekipi i kapitenit Lionel Mesi nuk ka provur humbje. “Albiselestët” kanë 35 ndeshje radhazi pa disfatë, me 25 fitore e 10 barazime, me 71 gola të shënuar dhe vetëm 17 të pësuar, që do të thotë me mesataren 2 gola të shënuar dhe 0.5 të pësuar në çdo sfidë. Mbrojtja duket e çeliktë, ashtu siç ishte në kohën e Karlos Bilardosit dhe Diego Armando Maradonës në 1986. Imagjinoni, në 16 ndeshjet e fundit argjentinasit kanë pësuar vetëm 3 gola! Italia ka rekordin botëror me 37 ndeshje pa humbje, ndjekur nga Brazili, Spanja dhe Argjentina me nga 35.
Sfidanti.al