Reali gjen Bejlin, por Barça vështirë ta ketë Nejmarin në “El Klasiko”

Garet Bejl është grumbulluar në skuadër nga trajneri Zidan për ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit spanjoll, “El Klasikon” ndaj Barcelonës, veçse katalanasit duket se nuk do të kenë sukses për Nejmarin. Trajneri Luis Enrike e ka marrë me vete në skuadër sulmuesin nga Brazili, me shpresë që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (TAD) të japë një vendim në favor të futbollistit për të luajtur në “Bernabeu”. Kjo mendohet të jetë shumë e vështirë.

Reali ndërkaq mund të llogarisë Bejlin i cili humbi ndeshjen ndaj Bajernit në Champions, por tani e ka marrë veten nga dëmtimi. Kjo do ta ndihmojë shumë skuadrën madrilene, që do të ketë në dispozicion treshen BBC (Benzema, Bejl, Ronaldo). Ndërkaq, Luis Enrike vështirë të ketë në dispozicion MSN-në, pasi Nejmar mungon. Barra kryesore për të arritur fitoren do të bjerë mbi Lionel Mesin, por argjentinasi ka 6 ndeshje që nuk shënon në portën e Realit.

Sfidanti.al