Reali e Junajtidi s’pyesin për 75 milionë euro, por Halandin s’e marrin dot!

“Dardha e ka bishtin prapa”, thotë populli, dhe kështu duket sikur thotë edhe shefi ekzekutiv i Borusias së Dortmundit, Hans-Joakim Vacke. Erling Halandi u mor nga Salcburgu për vetëm 20 milionë euro, dhe klauzola për të u vendos 75 milionë euro, pra gati 4 herë më shumë. Një biznes i shkëlqyer për klubin e Ruhrit, ndërsa Reali i Madridit e Mançester Junajtidi vazhdojnë të mendojnë për sulmuesin norvegjez.

Gjithsesi, Vacke ka edhe një “as nën mëngë” për yllin e tij. Siç zbulon, tabloidi “Bild”, kontrata e Halandit ka një klauzolë tjetër, një përcaktim kohor që i jep mundësi Dortmundit që të fitojë kohë. E firmosur me të zezë mbi të bardhë, është shkruar se klauzola për transferimin e norvegjezit nuk mund të aktivizohet para vitit 2022. Kjo do të thotë se Halandi do të vazhdojë të luajë për verdhezinjtë edhe për dy sezone, ose ndryshe do të duhet një shumë tepër më e madhe për ta bindur klubin gjerman. Sulmuesi 19-vjeçar po zhvillon një sezon fantastik, në të cilin ka shënuar 9 gola në 8 ndeshje të Bundesligës, e 12 gola në 11 paraqitje për Dortmundin, si dhe 28 gola në 22 ndeshje për Salcburgun. Vetëm në Champions, 19-vjeçari ka realizuar 10 gola në 9 sfida.

Sfidanti.al