Stadiumi “Hard Rock”, Majami, SHBA, 18 qershor 2025. Është një datë e veçantë për trajnerin e ri të Realit të Madridit, Ksabi Alonso, i cili do të bëjë debutimin e tij në stol. Por nëse dikush dëshiron ta ndjekë takimin nga tribuna VIP e stadiumit të Majamit, çmimi që duhet të paguajë është vërtet i kripur, deri në 17.300 dollarë ose rreth 15 mijë euro!
FIFA ofron paketa luksoze që përfshijnë shampanjë, havjar dhe goca deti, degustacione me gjashtë pjata, përvoja ekskluzive… Ofruesi i mikpritjes së Kupës së Botës për Klube analizon luksin që rrethon fillimin e sezonit të ri të Realit të Madridit. Kupa e Botës për Klube FIFA në formatin e saj të ri fillon të shtunën, më 14 qershor. Inter Majami i Leo Mesit do të jetë skuadra e parë që do të fillojë turneun. Por mbërritja e Madridit në Florida do të jetë kulmi.
Organizatorët ofrojnë paketa luksoze në çdo vend të turneut, për ndeshje individuale ose seri ndeshjesh. Shikimi i tetë ndeshjeve në program në stadiumin “Hard Rock” mund të kushtojë deri në 158,000 dollarë. Paketa VIP më e shtrenjtë e ofruar nga FIFA është për “lozhën private”. Çmimi? 17,300 dollarë. Përfshin vende për deri në 20 persona, pamje luksoze të fushës, pije mirëseardhjeje, menu elitare të hartuara nga shefat e kuzhinës dhe shampanjë.
Një përvojë që zgjat më shumë se tri orë, e disponueshme para, gjatë dhe pas ndeshjes. Nëse kabina private është për grupe, janë gjithashtu në dispozicion edhe opsione edhe më ekskluzive “à la carte”. FIFA ofron paketën “Flagship Lounge”, duke filluar nga 1,605 dollarë për person. Degustacione me gjashtë pjata, shampanja me edicion të kufizuar dhe disa stacione kuzhinierësh janë të gjitha vetëm pak metra larg fushës. “Flagship Lounge është një përvojë luksoze që padyshim do t’i mahnisë mysafirët, por është vetëm një nga nivelet e disponueshme.
Ne gjithashtu kemi nivele ideale për të pritur klientë dhe ekipe, si dhe të tjera të dizajnuara për grupe shoqërore dhe përvoja familjare. Në përgjithësi, mikpritja jonë mbulon një spektër të gjerë nevojash dhe dëshirash”, tha Xhimi Birom, themelues dhe shefi ekzekutiv i “Beyond Hospitality”, ofruesi zyrtar i mikpritjes për Kupën e Botës për Klube FIFA.
“Programi Zyrtar i Mikpritjes synon të ofrojë akses në ndeshjet që tifozët e apasionuar janë të vendosur të shohin, të përmirësojë përvojën, të adresojë sfidat logjistike për tifozët dhe nuk zëvendëson aksesin e përgjithshëm në këtë ngjarje të shkëlqyer për të gjithë mbështetësit”, shtoi ai. Reali i Madridit i Ksabi Alonsos do të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara më 14 qershor dhe do të përgatitet për debutimin e tij në hotelin luksoz “Four Seasons” në Palm Beach, në veri të Majamit, ku dhomat zakonisht janë të kufizuara për më pak se 1,000 dollarë.