Egnatia po shijon një moment të rëndësishëm në historinë e saj, me tri pjesëmarrje radhazi në Kupat e Europës. Pas debutimeve në Europë, klubi e ka bërë të qartë se ambicia kryesore është të avancojë sa më shumë në kompeticionet ndërkombëtare dhe të ngrejë nivelin e futbollit shqiptar në arenën europiane.
Në dy sezonet e fundit, Egnatia ka treguar se është një skuadër e fortë dhe e organizuar, duke përballuar me dinjitet rivalë të fortë dhe duke fituar përvojë. Gjithsesi, në klub rëndon ende fakti që nuk kanë kalur asnjë tur, edhe pse mundësitë i kanë pasur, sepse janë eliminuar me penallti. Duket se këtë sezon, rrogozhinasit kanë dy “armë” shtesë, që u kanë munguar dy vitet e kaluara. Bëhet fjalë për eksperiencën edhe stadiumin. Megjithëse nuk ka kaluar raundet e para, eksperienca e fituar bën që objektivi i klubit rrogozhinas për këtë sezon të jetë i qartë: të thyejë këtë barrierë dhe të avancojë në turin pasardhës e më tej. Ndeshjet europiane sjellin presion të madh, si nga tifozët, mediat dhe rëndësia e ndeshjes. Përvoja e mëparshme i mëson lojtarët dhe trajnerët si të menaxhojnë stresin dhe të ruajnë qetësinë në momente kyçe. Kur skuadra ka kaluar sfida të vështira dhe ka treguar karakter në Europë, kjo i jep një vetëbesim më të madh për të kërkuar suksese më të mëdha dhe për të mos u dorëzuar lehtë. Kjo ambicie përkon edhe me një moment rritjeje të futbollit shqiptar në përgjithësi, ndërsa Egnatia synon të jetë një nga klubet që do të kontribuojë në ngritjen e këtij imazhi. Pas dy sezoneve ku ndeshjet e Kupave të Europës u zhvilluan në “Elbasan Arena”, Egnatia pritet që tani të luajë në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë për sfidat europiane të sezonit të ri. Ky ndryshim përbën një lajm shumë të mirë për klubin dhe tifozët e tij. Pas investimeve në infrastrukturë dhe përmirësimit të standardeve të stadiumit, klubi është gati për të pritur ndeshje me nivel ndërkombëtar. Ky fakt shihet si një avantazh i rëndësishëm për Egnatian, pasi ambienti familjar dhe mbështetja e ngrohtë e tifozëve krijojnë një atmosferë motivuese dhe presion për kundërshtarët.