Borusia gjermane është kritikuar shumë për moshën e re të disa prej yjeve adoleshentë tek të cilët dëshiron të mbështetet, por jo gjithmonë i del keq. Të paktën ndeshjen e parë në Champions, në fazën e grupeve, ia doli ta fitonte madje me meritë në Stamboll ndaj Beshiktashit. Në një ambient të nxehtë të krijuar nga tifozët turq, Dortmundi fitoi 2-1 falë një goli e një asisti të Xhud Belingamit dhe një goli të Erling Halandit. Ndërsa norvegjezi 21-vjeçar vazhdoi me “avazin” e tij, që në çdo ndeshje shënon, anglezi 18-vjeçar po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. A do të mundet skuadra e trajnerit Marko Roze të vazhdojë sukseset në Gjermani dhe në Europë me lojtarë të rinj si Belinghami, Halandi, Rejna, Maleni, Mukoko apo Reinier? Dikur, Sër Aleks Fergusoni u kritikua se aktivizoi brezin e të rinjve në 1994, si vëllezërit Nevil, Batin, Gigsin, Bekamin e Skoullsin, por më në fund Mançester Junajtidi u shpall kampion. Ndoshta ia del edhe Dortmundi!
Sfidanti.al