Putin fiton bastin e tij, rruzulli ka rënë në dashuri me Rusinë!

Nuk mund të mos takonin të zotin e shtëpisë. Një pritje e nivelit të lartë u mbajt në Kremlin, ku presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pati një bisedë me yje të dikurshëm të futbollit. Në tryezë, në sallën e shkëlqyer, ishin disa nga lojtarët e shquar të së kaluarës si Lotar Mateus, Peter Shmajkel apo Rio Ferdinand.

Në takim ishte edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, që vlerësoi lart vendin organizator të Kupës së Botës. “Kemi rënë në dashuri me Rusinë, – u shpreh ai, – njerëzit dhe policët ishin të qeshur në Sheshin e Kuq. Ishin shumë miqësorë. Ky është imazhi i ri i Rusisë dhe kjo është Rusia e vërtetë”.

Putin e falenderoi Infantinon për vlerësimet, dhe deklaroi se Kupa e Botës hodhi poshtë stereotipet për vendin e tij. “Njerëzit mundën të shikonin se Rusia është një vend mikpritës, miqësor me ata që vijnë këtu”, – tha presidenti.

Mateus, ish-kampion i botës me Gjermaninë, theksoi se në Rusi ndihet si në shtëpinë e tij, dhe kjo jo vetër për shkak të gruas së tij ruse. “Ndihem i lumtur në një qytet të madh, të bukur dhe ndërkombëtar si Moska, – u shpreh ai, – po aq sa edhe për Kupën e Botës”.

Rusia ka pasur probleme me Perëndimin që pas aneksimit të Krimesë dhe luftës në lindje të Ukrainës, si edhe pas helmimit të dy agjentëve të dyfishtë rusë që ndodhi në Britaninë e Madhe.

Sfidanti.al