Danimarka dhe Belgjika do të respektojnë Kristian Eriksenin që vazhdon të ndodhet në spital, ndërsa do të luajnë sot në orën 18:00 sfidën e radhës në Euro 2020. Do të jetë i njëjti stadium, “Parken” i Kopenhagenit, dhe momenti i zgjedhur është simbolik. Mesfushori danez rrezikoi jetën në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Finlandës, dhe pavarësisht se e ka kaluar rrezikun, situata e tij mbetet e paqartë.
Trajneri i Danimarkës deklaroi në konferencë për shtyp se skuadra e tij do të luante dhe do të përpiqej të fitonte ndaj Belgjikës pikërisht për Eriksenin. Ylli belg, Romelu Lukaku, që e ka danezin shok ekipi tek Interi, deklaroi se edhe ai do të luante për të, dhe se shpresonte që ta shihte sa më shpejt në fushën e lojës. Eriksenit do t’i vendoset një aparaturë për stabilizimin e rrahjeve të zemrës, diçka që edhe mund ta lejojë të luajë futboll, siç u ka ndodhur lojtarëve të tjerë.
Gjithsesi, doktori Skot Marrej, specialist për sëmundjet e zemrës, deklaroi për “Deili Meilin” se Erikseni nuk do të ketë mundësi të vazhdojë karrierën. Doktori gjerman i FIFA-s, Jens Klajfeld, që ndihmoi Eriksenin të kthehej në jetë pas ndalimit të zemrës, tregon fjalët e para të lojtarit kur erdhi në vete. “Jam sërish me ju, – tha danezi, – për hir të dreqit, jam vetëm 29 vjeç”.
Përsa i përket duelit, Danimarkë-Belgjikë, duhet thënë se skuadra belge është favorite, diçka që e vërtetoi edhe me fitoren 3-0 ndaj Rusisë në Shën Peterburg, ndërsa danezët u mundën nga Finlanda. Në historinë e futbollit mbahet mend një ndeshje e jashtëzakonshme mes tyre, në fazën e grupeve në Euro 1984, kur Danimarka fitoi 3-2 me përmbysje, ndërsa të dyja skuadrat kishin brez të madh. Belgët kishin Shifon, Pfafin, Vanderbergun, Këlemans apo Verkauteren, ndërsa danezët ishin me Elkjerin, Lerbin, Laudrupin, Arnesenin apo kapitenin Morten Olsen.
Sfidanti.al