Nuk është ende finale, por skenari duket si i tillë. Në Londër gjithçka është përgatitur me saktësinë e një ore zvicerane, për gjysmëfinalen e Europianit ndaj Danimarkës në stadiumin “Uembli”. Banda muzikore e “Rojeve të Koldstrimit”, më e vjetra në Angli themeluar 370 vjet më parë, ekzekutoi himnin e “tre luanëve”, ndërsa tifozët janë në ekstazë. Ata këndojnë “futbolli po kthehet në shtëpi”, siç ndodhte në Euro 1996. Nënkuptimi është se ky sport po vjen aty ku u shpik, por danezi Kasper Shmajkel bëri një ngacmim.
“A ka qenë ndonjëherë në shtëpi, – tha portieri që luan në Angli me Leisterin, – nuk e di nëse e keni fituar ndonjëherë Europianin? Nuk po flasim për Kupën e Botës!” Shmajkeli ka të drejtë sepse Anglia ka fituar Kupën e Botës, por jo Europianin, ndërsa pikërisht Danimarka u shpall kampione e Europës në 1992. Kombëtarja u përcoll në mënyrë madhështore nga tifozët, kur u nis nga Kopenhageni për në Londër. Priten të paktën zyrtarisht 8 000 tifozë danezë në “Uembli”, por numri i tyre padyshim që do të jetë më i madh në një total prej 60 000 spektatorësh.
“Ne nuk jemi në rolin e të voglit, – deklaroi trajneri Hjulmand, – në këtë moment, nuk jemi të tillë. Anglia është një skuadër shumë e fortë, shumë cilësore, por ne e respektojmë veten tonë. Do të bëjmë lojën tonë, të marrim iniciativën. Mentaliteti ynë është që mund të fitojmë çdo ndeshje”.
Gjithsesi, Anglia është favorite për kualifikimin në finale dhe për fitoren e Europianit. Fitoret radhazi ndaj Gjermanisë 2-0 dhe Ukrainës 4-0 kanë rritur moralin dhe kanë treguar potencialin e “tre luanëve”. Trajneri Garet Sauthgejt nuk ka shqetësime dëmtimesh e pezullimet.
“Ne jemi të qetë, – thotë tekniku anglez, – po ashtu jemi shumë të motivuar për të arritur finalen. Pres një ndeshje të fortë, të ekuilibruar, pasi Danimarka është një rival vërtet shumë i mirë. Të mos harrojmë se ka dalë kampione e Europës në 1992, ndërsa ne nuk kemi fituar ende. Na takon neve ta shkruajmë historinë tonë”.
Anglia dhe Danimarka ka bilanc shumë pozitiv ndaj Danimarkës, me 12 fitore, 5 barazime e vetëm 4 humbje, por ka fituar vetëm një nga 6 ndeshjet e fundit. Kanë qenë danezët që kanë fituar dy herë radhazi, madje përballjen e disa muajve më parë 1-0 në “Uembli” me gol të Kristian Eriksenit, që këtë herë do të jetë tifoz.
Sfidanti.al