Portieri 17-vjeçar që kërkohet nga gjysma e Europës

Është tashmë një emër i bujshëm i merkatos në vetëm 17 vjeç, pasi ka debutuar mes profesionistëve në moshën 15-vjeçare. Të gjithë duan Deniz Dönmezer, portierin që aktivizohet te Kayserispor. Pavarësisht moshës shumë të re, ai është tashmë në sezonin e tij të tretë në Superligën turke dhe mbi të janë përqendruar sytë e shumë klubeve të mëdha europiane.

A keni dëgjuar ndonjëherë për Deniz Dönmezer? Me shumë gjasë jo, por 17-vjeçari është tashmë një yll në Turqi, vendin e tij të lindjes. Mund ta quajmë Donnarumma turk, pasi debutoi mes profesionistëve në vetëm 15 vjeç dhe është tashmë një “veteran” i Superligës turke, duke qenë në sezonin e tij të tretë në elitë. Skuadra e tij aktuale është Kayserispor, një emër që mund të thotë pak për tifozët e futbollit. Megjithatë, emri i tij është tashmë në gazetat kombëtare dhe në blloqet e drejtorëve sportivë të klubeve më të mëdha europiane.

Kështu shkruajnë mediat turke, që e shohin Deniz Dönmezer si talentin e ardhshëm të futbollit turk dhe të kombëtares së Turqisë. Ai debutoi në moshën 15-vjeçare në ndeshjen kundër Fenerbahçes, në stadiumin e ish-skuadrës së Mourinhos, përpara 38 mijë spektatorëve dhe në një atmosferë infernale. Ylli i ri i Turqisë është një “kolos” 190 cm i gjatë, që dominon lojën ajrore dhe ka gjithashtu një siguri shumë të mirë me topin në këmbë. Në një intervistë të fundit për mediat lokale, ai ka deklaruar se nuk ka frikë nga asgjë dhe se ndjek një përgatitje të veçantë mendore përpara ndeshjeve. Sipas mediave turke, shumë klube të mëdha europiane janë në gjurmët e Deniz Dönmezer. Sirenat më të forta vijnë nga Anglia, me Premier League që udhëheq interesimin për yllin e ri turk. Chelsea duket skuadra në pole position, e ndjekur nga Arsenal dhe Tottenham, që kanë dërguar tashmë vëzhgues për ta ndjekur nga afër. Interes ka edhe nga Holanda, me Ajaxin që është gati të mendojë seriozisht për të. Po klubet italiane? Për momentin nuk ka lëvizje, por kush e di nëse Interi nuk do të bëjë një tentativë, në optikën e një zëvendësimi të ardhshëm të Sommer.

sfidanti.al