Karrierën e mbylli me një kulm, ndërsa kujtohet edhe sot e kësaj dite. Lorik Cana, padyshim një nga lojtarët dhe kapitenët më të mëdhenj të kombëtares së Shqipërisë, përcillet sërish sot në vëmendje, ndërsa prej gati 5 vjetësh është tërhequr nga futbolli. Njeriu që realizoi ëndrrën për të shkuar me ekipin përfaqësues në një turne të madh si Euro 2016, është kujtuar nga UEFA nëpërmjet një videoje të botuar në faqen zyrtare të Ligës së Europës.
Pak ditë para rifillimit të garave europiane të klubeve, UEFA postoi videon e një ndërhyrjeje të Canës, në atë kohë kapiten i Olimpikut të Marsejës. Diçitura ishte: “Lorik Cana me ndërhyrje tekël të dyfishtë! Cili futbollist modern mund të bëjë një gjë të tillë?” Gjithsesi, ish-mesfushori dhe ish-mbrojtësi mbahet mend për shumë ndërhyrje të tilla, për shpirtin e tij luftarak dhe karakterin e madh, që e ndihmoi të bëhej kapiten tek Olimpiku i Marsejës në Francë dhe tek Sandërlendi në Premier Ligën angleze.
Në një karrierë 16-vjeçare, shqiptari i Kosovës kaloi nga ekipi i dytë i Paris SG, për t’u bërë titullar tek parizienët, e më pas lider tek Marseja, Sandërlendi, Gallatasaraji apo edhe Lacio. Ai ka shënuar pak gola, për vetë pozicionin që kishte në fushë, vetëm 17 për klubet dhe një për kombëtaren, por ka ditur të realizojë në mënyrë spektakolare. Në moshën 37-vjeçare dhe prej 5 vjetësh një ish-futbollist, Lorik Cana mund t’i quajë të përmbushur objektivat që i kishte vënë vetes dhe jo më kot UEFA e kujton edhe sot e kësaj dite.
Sfidanti.al