Nuk është e nevojshme ta dish përmendësh historinë e futbollit, për të kujtuar disa nga përmbysjet e mëdha të Real Madrid. Në pothuajse 70 vite histori në garat evropiane, “Los Blancos” kanë përmbysur humbje edhe më të rënda se 0-3 që pësuan ndaj Arsenalit.
Por tani, përballja nuk është vetëm në fushë, është edhe në korridoret e klubit. Sepse kur bëhet fjalë për Florentino Perez, presidenti legjendar i Realit, durimi nuk është ndër virtytet e tij. Vetëm pak vite më parë, në sezonin 2021-22, Ancelotti ishte pranë largimit nga stoli i Realit. Por atëherë, tekniku italian i “mbylli gojën” kritikëve duke fituar La Ligën dhe Champions Leaguen. Dhe historia, në një mënyrë të pabesueshme, u përsërit sërish.
Megjithatë, në shtëpinë “e bardhë” historia ka vlerë vetëm nëse përkthehet në rezultate të menjëhershme. Të kesh fituar në të kaluarën nuk do të thotë që je i sigurt për të ardhmen.
Ancelotti tani ndodhet përballë një momenti kritik: titulli në La Liga po i largohet, pasi Barcelona po shkëlqen dhe është afër trofeut, ndërsa eliminimi nga Champions Liga është më pranë se kurrë.
Nëse nuk arrin të shpëtojë asgjë këtë sezon, ndryshimi në pankinë duket i pashmangshëm.
sfidanti.al