Vllaznia dhe Bashkia Shkodër kanë nisur një betejë mes tyre për përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi”. Një koncert i aprovuar nga Bashkia ka marrë kundërpërgjigjen e klubit kuqeblu, që ka dalë me një deklaratë për shtyp:
“Për herë të parë në historinë e klubit, ekziston rreziku real që KF Vllaznia të mos zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Europës në stadiumin e vet, për shkak të një vendimmarrjeje të njëanshme dhe të pa konsultuar që ka ndryshuar destinacionin e përdorimit të stadiumit. Ky vendim është marrë në mënyrë të paligjshme dhe duke injoruar paralajmërimet e përsëritura nga Klubi dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për të diskutuar mbi këtë situatë alarmante, sot është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e futbollistëve, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Të gjithë të pranishmit kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tyre lidhur me zhvillimet e fundit, të cilat cenojnë jo vetëm të ardhmen europiane të klubit, por edhe imazhin e qytetit dhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht situatës së krijuar, KF Vllaznia mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të shpejtë, në funksion të interesit të sportit dhe të komunitetit shkodran.
KF Vllaznia është më shumë se një klub futbolli – është identiteti i një qyteti dhe krenaria e një historie të gjatë e të lavdishme”.
sfidanti.al