Paul Pogba përgatitet për rikthimin

Pas një periudhe të gjatë pezullimi për shkak të një çështjeje dopingu, Paul Pogba është gati të shkruajë kapitullin e ri të karrierës së tij. Mesfushori francez, i cili dikur mahniti botën me fanellën e Juventusit dhe Francës, pritet që gjatë muajit maj të vendosë klubin e ri ku do të vazhdojë karrierën.

Sipas raportimeve të fundit, Pogba ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me klubin amerikan DC United, një skuadër e njohur në Major League Soccer, ku ai gëzon marrëdhënie të mira me pronarët. Megjithatë, deri tani nuk ka një ofertë zyrtare nga amerikanët, ndryshe nga interesimi konkret që i ka ardhur nga disa klube evropiane dhe saudite. Synimi kryesor i Pogba-së është i qartë: të rikthehet në formën më të mirë për të qenë pjesë e kombëtares franceze në Kupën e Botës 2026. Për ta arritur këtë, ai është i gatshëm të pranojë një projekt ambicioz, qoftë edhe duke nënshkruar me një nga klubet që do të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm të Kupës së Botës për Klube.

Pavarësisht periudhës së vështirë që ka kaluar, Pogba mbetet një emër me peshë në futbollin ndërkombëtar dhe shumë skuadra e shohin si një përforcim të rëndësishëm për repartin e mesfushës. Zgjedhja e tij e ardhshme pritet me shumë interes, ndërsa vetë lojtari duket i vendosur ta nisë nga e para dhe të tregojë se ende ka shumë për të dhënë në fushë.

sfidanti.al