Me Valverden apo Setienin, po bëhet çdo vit e më shumë klubi me të ardhurat më të mëdha vjetore në futboll. Barcelona kryesoi sërish listën e ndërtuar nga revista amerikane “Forbs” (Forbes), duke lënë pas Realin në një “El Klasiko” jashtë fushe. Katalanasit patën të ardhura 840.8 milionë euro në një vit, ndërsa Madridi arriti deri në 757.3 milionë euro, pra rreth 90 milionë më pak. Në vend të tretë mbetet Mançester Junajtid, klubi që ka qenë numri 1 i Anglisë që kur është themeluar renditja e “Forbsit”, ndërsa për shumë vjet ka qenë numri 1, e më pas dyshi.
Ekziston mundësia që “djajtë e kuq” ta humbasin statusin si klubi anglez me të ardhurat më të mëdha vjetore, sepse Liverpuli dhe Mançester Siti mund ta kalojnë. Liverpuli sidomos po bën një sezon shumë të madh dhe kjo mund të ndihet nga ana financiare. Të kuqtë patën të ardhura vjetore prej 604.7 milionë eurosh, ndërsa Siti arriti në 610.6. Ende poshtë klubet italiane, me Juventusin që është më i miri prej tyre, por vetëm në vendin e 10-të me 459.7 milionë euro. Gjashtë nga 11 klubet e parë janë nga Anglia, ndërsa në vendet e sipërme janë edhe Bajerni i Mynihut si dhe Paris SG.
Sfidanti.al