Partizani pritet ta nisë merkaton me largime, siç është ai i Andi Hadrojt, që duket gjithnjë pranë kalimit në Ukrainë, te klubi i Polisia Zhajtomir. Ai pritet t’i japë klubit një shifër të mjaftueshme të ardhurash sa për të hyrë në merkato dhe për të afruar lojtarë aty ku skuadra ka më së shumti nevojë. Të paktën mesa flitet deri më tani në korridore, te Partizani pritet që në janar të ndërhyjnë në merkato në tre pozicione. Me largimin e Hadrojt do të kërkohet një mbrojtës i djathtë, që do të duhet të luftojë për një vend në formacion me Osmanllarin. Sakaq, në mesfushë mungon një lojtar i stilit të Matondos apo Magetit dhe nëse do të arrijnë të pikasin ndonjë emër të duhur, pritet që drejtuesit të ndërhyjnë. Edhe në sulm kërkohen riparime, veçanërisht në krahë, ku Zeka dhe Cara nuk kanë alternativa, as konkurrencë. Gjithsesi, duhet thënë se janari është një treg shumë i cunguar dhe mbetet për tu parë sesa do të realizohen këto kërkesa.
sfidanti.al