Partizani ecën me hapin e kampionit

Partizani e nisi sezonin me një fitore ndaj Laçit, por më pas u duk sikur nuk ishte në gjendje të ndiqte hapat e vjetshëm, kur u shpall kampion. Triumfin në limite ndaj Laçit e pasuan dy barazime ndaj Vllaznisë dhe Egnatias. Pas kësaj, fitorja ndaj Dinamos u duk sikur e solli qetësinë, por direkt pas kësaj Skënderbeu bëri surprizën dhe arriti t’i mposhte.

Para kësaj ndeshjeje, të kuqtë kishin marrë edhe lajmin e ofertës së Osijekut për Zekiçin dhe dëshirën e trajnerit për t’u larguar. Kjo e bëri situatën të komplikuar, me trajnerin, që la skuadrën pas një fitoreje të çuditshme ndaj Kukësit. Përpara ishte derbi me Tiranën, por situata nuk ishte aspak normale. Disa titullarë të dëmtuar dhe pa Zekiçin.

Në fund rezultoi që shtyrja e derbit pas sfidave të Kombëtares të ishte një frymëmarrje e madhe. Nën drejtimin e të njëjtit staf në prapaskenë, me Abilaliajn në stol, Partizani e mori veten dhe u kthye të ecë në “shtegun” e kampiones. Triumf në derbi e më pas me Erzenin dhe 17 pikë në renditje, pas 8 javësh. Ky Partizan e ka hapin më të madh se vjet, kur u shpall kampion, pasi ka 1 pikë më shumë dhe sulmi funksionon më mirë, pasi kanë shënuar 13 gola, 5 më shumë se vjet. Në mbrojtje kanë pësuar dy më shumë, por situata duket në kontroll

sfidanti.al