Me ardhjen e tij, përveç aspektit taktik, Orges Shehi do të duhet të punojë fort edhe fizikisht me ekipin. Një pjesë e lojtarëve janë të dëmtuar, ndërkohë që disa kanë shumë minuta në këmbë dhe janë të ngarkuar. Problemi më i madh për momentin quhet Kristian Mba. Nigeriani ka pësuar një tërheqje muskulore prej 3 centimetrash dhe do të mungojë për rreth 1 muaj, çka do të thotë se do të humbasë sfidat me Teutën dhe Laçin dhe do të bëjë maksimumin për tu kthyer më 28 janar ndaj Vllaznisë. I dëmtuar aktualisht është edhe Maget, por senegalezi ka pësuar vetëm një goditje dhe pritet të jetë shumë shpejt gati. Ndërkaq, Alban Hoxha po nxiton të mbërrijë ndeshjen me Teutën. Së fundmi gardiani ka nisur vrapimet dhe rikthimi duhet shumë pranë. Preka nuk i ka nisur ende vrapimet dhe rikthimi i tij me shumë mundësi do të ndodhë në muajin shkurt. Sa i përket stërvitjes, dje të kuqtë zhvilluan seancën e fundit për këtë vit. Me ekipin u kthye Arinaldo Rrapaj. Partizani pritet të kthehet në aksion më datë 2 janar, kur do të nisen për në Turqi për fazë përgatitore.
sfidanti.al