Kontinenti ende mbetet në Botëror. Australia, përfaqësuese e një pjese të rëndësishme të rruzullit, e mbajti veten në turne pasi shmangu humbjen ndaj Danimarkës. Sfida e grupit C në stadiumin e Samarës u përcaktua sërish nga teknologjia, sepse gjyqtari spanjoll Mateu Lahoz u këshillua me VAR-in për të dhënë penalltinë e australianëve. Prekje me dorë ishte, edhe pse 11-metërshi ishte i diskutueshëm, ndonëse kartoni i verdhë për Poulsenin u duk tepër.
Kapiteni Jedinak nuk gaboi dhe ambicia e skuadrës nga Hemisfera e Jugut bëri të vetën. Jedinak, një djalë me origjinë kroate që luan për Aston Vilën në Angli, ka rekordin që ka realizuar çdo penallti në karrierë, 16 tentativa, 16 gola.
Danimarka e nisi më mirë takimin, duke qenë edhe më e qetë pasi kishte fituar ndeshjen e parë ndaj Perusë. Europianët shënuan shpejt, me një aksion-model dhe gol-model nga ylli i Totenhemit, Kristian Eriksen. Gjithsesi, kur kujton Danimarkën e viteve 80-të e të viteve 90-të, kjo e sotmja nuk të bën përshtypje. Dëshirë dhe përpjekje për lojë kolektive, por tepër larg stilit dhe frymës sulmuese të epokës së Elkjerit, Lerbit apo vëllezërve Laudrup.
Barazimi duket se lë në pozita më të mira pikërisht danezët, edhe pse mund të mos rezultojë kështu. Ndeshjen e fundit ata e kanë me Francën, ekipin më të fortë të grupit, dhe në rast humbjeje, rrezikojnë eleminimin.
Sfidanti.al