Romelu Lukaku përfundoi gjithçka, vizita mjekësore, nënshkrim kontrate dhe prezantim, ndërsa menjëherë u bashkua me shokët në stërvitje. Zhoze Murinjo e pati për herë të parë në skuadër gjigandin belg në fushën e stadiumit “Drejk” në Los Anxhelos, ku Mançester Junajtid është në turne. Kaloi vetëm një orë që nga përfundimi i procedurave kur nisi rutina e re për Lukakun, nën diellin e nxehtë kalifornian.
Në stërvitje ishte edhe blerja tjetër e re, Viktor Lindelof, i marrë për 30 milionë stërlina nga Benfika, kurse Lukaku kushtoi 75 milionë paund. Në SHBA, Junajtid do të ketë disa ndeshje përgatitore, që nisin në 16 korrik ndaj Los Anxhelos Galaksisë, vazhdojnë me Real Solt Lejk në Juta në 18, ndaj Man. Sitit në 21 korrik në Hjuston, për të vazhduar me përballjet me dy gjigandët spanjollë, Realin në 23 korrik në Santa Klara dhe Barcelonën në 27 korrik në Merilend.
Sfidanti.al