Ofertë tunduese për Rei Manajn

Rei Manaj rinovoi pak ditë më parë kontratën e tij me Sivaspor, por kjo nuk ka mbyllur të gjithë zërat e merkatos rreth sulmuesit shqiptar. Interesimi i Trabzonspor për të u zbeh pak pasi u vendos klauzola e largimit prej 4 milionë eurosh, por duket se një tjetër emër i madh i futbollit turk është gati ta paguajë këtë shifër që në janar. Mediat turke kanë raportuar sot se Beshiktashi është shumë i interesuar për të firmosur me Manajn, pasi e sheh si një lojtar të mirëfilltë zone që do të ndihmojë në saktësinë para portës kundërshtare. Skuadra e Stambollit po synon të përforcojë repartin e avancuar për shkak se Çiro Imobile duket se nuk po shfaqet në nivelin e kërkuar dhe duke parë që ofertat për të nuk mungojnë, rrugët me italianin pritet të ndahen në janar. Kësisoj, Manaj do të ishte opsioni i parë për Beshktashin, sipas mediave turke. Megjithatë, një ofertë zyrtare nuk është bërë ende, siç konfirmoi edhe drejtori teknik i Sivaspor, Omer Erdogan. “Ne i zgjatëm kontratën dhe po veprojmë sikur ai të vazhdojë me ne. Unë nuk kam dëgjuar për ndonjë ofertë zyrtare. Gjithsesi, jemi duke e ndjekur këtë proces”, tha ai.

sfidanti.al