Obamejang-Morata-Beloti, “tre tenorët” e futbollit të verës!

Pjer-Emerik Obamejang ka marrë një ultimatum nga Dortmundi dhe duket se ka mbledhur mendjen për të mos lëvizur. Të paktën, mediat europiane shkruajnë se sulmuesi nga Afrika nuk do të largohet nga Borusia, për të cilën shënoi dy gola në fitoren 3-1 në miqësoren ndaj Milanit Një nga futbollistët më të kërkuar në botës do të zhgënjejë, kështu, shumëkënd. Në Kinë e donin me shifra të çmendura, e donin në Angli, por edhe Milani në Itali. Nëse “Oba” nuk lëviz, atëherë mbeten dy sulmues të tjerë “race” në dispozicion, pasi Lukaku u sistemua në “Old Traford”.

Këta janë Alvaro Morata dhe Andrea Beloti, i pari sulmues i Realit dhe i dyti i Torinos. Të dy pritet të kushtojnë shtrenjtë, të dy pëlqehen nga të gjitha anët, ndërsa ka vetëm një ndryshim. Reali mezi pret që Morata të largohet, edhe pse është produkti i akademisë, ndërsa Torino nuk është se ka shumë qejf që Beloti të ikë, edhe pse 70 apo 80 milionë euro mund ta bënin presidentin Kairo që të ndryshonte mendje.

Sfidanti.al