Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore dramatike 4-3 në transfertë ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinalen e play-off-it për Botërorin 2026. “Dardanët” përmbysën gjithçka dhe siguruan një sukses historik që i çon në finalen e madhe. Më 31 mars, Kosova do të presë Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të vendoset bileta për në Botëror.
Golat për Kosovën u shënuan nga Veldin Hoxha, Fisnik Asllani, Florent Muslija dhe Kreshnik Hajrizi, që vulosën një mbrëmje të paharrueshme. Njeriu i ndeshjes për Kosovën ishte Muslija, i cili u vlerësua me notën 7.7 nga Sofascore, falë golit spektakolar dhe paraqitjes së tij të plotë. Pas tij, më të dalluarit ishin Vedat Muriqi dhe Asllani me notën 7.2.
Paraqitje pozitive zhvilluan edhe Lumbardh Dellova, Hoxha (7.0) dhe Mërgim Vojvoda (7.1). Nga ana tjetër, lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall Lukáš Haraslín, i cili realizoi gol dhe asist, duke marrë notën 8.7. Portieri Martin Dúbravka ishte zhgënjimi i sfidës, i vlerësuar me notën 5.6. Kosova tregoi karakter të jashtëzakonshëm, duke reaguar në momentet kyçe dhe duke menaxhuar presionin e ndeshjes. Skuadra e drejtuar nga Franco Foda është tani vetëm një fitore larg historisë. Finalja ndaj Turqisë pritet të jetë vendimtare për fatin e “Dardanëve”. Një triumf në këtë sfidë do ta dërgonte Kosovën për herë të parë në Botërorin 2026.
sfidanti.al

