Njeriu i Botërorit, portieri që ka harruar të heqë dorezat!

Ishte me shpresa përpara se të dilte në fushë. Portieri i Egjiptit, Esam El Hadari, synonte të vendoste një rekord në Kupën e Botës. “Në fillim dua të them se jam i lumtu që jam në Rusi, – shprehej ai, – dhe që ëndrra ime mund të bëhet realitet. Ambicia ime është që t’i bëj gjërat gradualisht, dhe objektivat i vendos vetëm njërin pas tjetrit. Uroj vetëm që të paraqitem mirë në Botëror”

Ëndrra e tij u kthye në realitet dhe El Hadari u bë lojtari më i vjetër që luan në Botëror, në moshën 45 vjeç e 161 ditë. Ai e festoi duke pritur një penallti në sfidën e Egjiptit ndaj Arabisë Saudite. Trajneri Kuper ia bëri nderin duke ulur në stol portierin titullar, dhe El Hadari luajti mirë, pavarësisht ndonjë gabimi.

Ai theu rekordin e vendosur nga ish-portieri i Kolumbisë, Mondragon, që luajti në Brazil 2014 në moshën 43 vjeç e 3 ditë, ndërsa ka lënë pas disa nga emrat e mëdhenj të futbollit si Roxher Millën, Pat Xheningsin, Piter Shiltonin apo Dino Xofin.

El Hadari e nisi karrierën në elitë, 25 vjet më parë, në 1993, ndërsa në 1996 bëri debutimin në kombëtare. Për Egjiptin ka luajtur plot 159 ndeshje, ndërsa ka fituar 4 Kupa të Afrikës. Me klubet doli 8 herë kampion i Egjiptit dhe fitoi 4 Champions të Afrikës.

Sfidanti.al