Çdo ligj e çdo rregull pret kohën për t’u shkelur. Duket se radhën e ka ligji që nuk lejonte gratë dhe vajzat në Iran për të shkuar në stadiume. Autoritetet vendore të Teheranit lejuan që femrat të ndiqnin në stadiumin e kryeqytetit, në një ekran të madh, ndeshjen e Kupës së Botës, ndaj Portugalisë. Ishin me mijëra që nxehën atmosferën në stadiumin “Azadi”, dhe kjo ishte hera e dytë që ndodhte në gati 40 vjet, pas ndeshjes së mëparshme të Botërorit, asaj ndaj Spanjës.
“Është hera e parë që vij në stadium, – u shpreh një tifoze, – doja shumë që të vija dhe jam tepër e lumtur. Edhe pse nuk fituam, ishte një sukses, jemi krenarë për lojtarët tanë”. “Shpresoj që ky të jetë fillimi I një kulture të re, që gratë të mund të ndjekin ndeshjet në stadiume. Besoj se që tani e tutje, do të jetë e mundur”.
Emocionet ishin të forta, dhe nuk munguan as lotët, ndërsa Irani u eleminua pas barazimit me Portugalinë. Ndalimi për femrat u vendos në 1979, me arsyetimin për të mbrojtur gratë nga të sharat dhe ofendimet e burrave në ndeshje. Shumë femra të tjera, ndërkaq, udhëtuan 4 000 km për të ndjekur Botërorin në Rusi. Ato shkuan atje bashkë me familjet, ndërsa mjaft prej tyre gjetën biletë duke I ndjekur ndeshjet në stadiume.
Sfidanti.al