“Një fshat i tërë e do tek Liverpuli”, ankohet Lajpcigu për Keitën!

Rasenball Lajpcig nuk është bindur ende nga 66 milionë stërlinat e Liverpulit (rreth 75 milionë euro), por Nabi Keita është bindur plotësisht nga një fshat i tërë në Guinea për të shkuar në “Anfild”. Është drejtori teknik i klubit gjerman, Ralf Rangnik (ish-trajner i Altin Lalës tek Hanoveri) që e thotë këtë shprehje duke kritikuar agjentët dhe këshilltarët e mesfushorit 22-vjeçar nga Afrika. Keita është i vendosur që të largohet nga Bundesliga dhe nga Lajpcigu, dhe Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit, besohet se e ka përparësinë e tij kryesore këtë verë, ndonëse do të duhet pak kohë që të arrihet ndonjë akord. Me shumë gjasa, Klop duhet të mbyllë më herët transferimin e Filip Kutinjos tek Barcelona, nga i cili shpreson të fitojë më shumë se 80 milionë euro, që të ketë financat e nevojshme për të marrë Keitën, pa prishur ekuilibrat ekonomikë të klubit.

Sfidanti.al