Ngjyrat e “Alianc Arenës” “sekëlldisin” Hungarinë dhe … UEFA-n!

Kjo lloj skene do të ndalohet të paktën për një ndeshje. UEFA ka vendosur të mos lejojë që “Alianc Arena” e Mynihut të ndriçohet së jashtmi me ngjyrat e ylberit, që janë simboli i lëvizjes për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve. Në Euro 2020, në Mynih, do të luhet ndeshja Gjermani-Hungari, dhe tema e homoseksualëve është kthyer në diçka të ndjeshme. Pak ditë më parë, parlamenti hungarez ndaloi mësimin në shkollë të edukatës homoseksuale, duke e argumentuar se e bën këtë për të mbrojtur fëmijët.

Tashmë, çëshja e ngjyrave në “Alianc Arena” cilësohet politike dhe UEFA ka vendosur t’i ndalojë ato në këtë ndeshje. Presidenti Aleksandr Çeferin dhe drejtuesit e futbollit europian vlerësojnë se ky kampionat nuk duhet të ketë mesazhe politike, që mund të krijojnë përçarje. Presidenti i Landit të Bavarisë, Markus Zëder, deklaroi se ngjyrat në favor të lëvizjes LGBT në Arenën e Mynihut janë një sinjal në emër të lirisë, duke kritikuar vendimin e UEFA-s. Autoritetet gjermane bënë apel, por ndalimi për ngjyrat mbetet.

Gjithsesi, UEFA ka çështje edhe kundër Hungarisë, saktësisht kundër tifozëve të saj. Një pjesë e tifozëve ultras akuzohen se patën sjellje raciste ndaj Kristiano Ronaldos dhe Kilian Mbapesë në ndeshjet e Europianit ndaj Portugalisë e Francës në Budapest. Po ashtu, ata kanë pasur parulla kundër homoseksualëve si dhe kundër futbollistëve që ulen në gjunjë në shenjë të luftës kundër racizmit.

Sfidanti.al