Yll Gashi, vetëm 17 vjeç, po shpallet një nga talentet më të ndritshëm të futbollit të të rinjve në Gjermani. Media e njohur gjermane ‘Bild’ i ka kushtuar një artikull të veçantë sulmuesit kosovar, i cili ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga Berlini te Bayerni i Mynihut.
Gashi kaloi gjashtë vite në Berlin, duke shkëlqyer me Reinickendorfer Füchse dhe Hertha Berlin, para se të transferohej te Bayerni në shtator të vitit 2022, vetëm 14-vjeç. Transferimi u realizua për 90,000 euro, dhe që atëherë sulmuesi ka shënuar hapa të mëdhenj në zhvillimin e tij.
Flasin më mirë statistikat
Që nga mbërritja në klubin bavarez, Gashi është shndërruar në një “makinë golash”. Vetëm në tri vitet e fundit ai ka realizuar 39 gola dhe ka dhuruar 13 asiste në 54 ndeshje me ekipet U-17 dhe U-19 të Bayernit. Duke llogaritur që nga mosha U-15, ai ka tejkaluar 100 gola për klubin, duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore, dhe tashmë është stërvitur edhe me ekipin e parë.
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në maj, Ylli u rikthye plotësisht në formë që nga shtatori dhe ka rifituar vendin e titullarit.
Kosova dhe Shqipëria, në garë për talentin
Sipas ‘Bild’, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda (59), ka udhëtuar personalisht në Mynih për t’u takuar me Gashin dhe familjen e tij, me qëllim që ta përfshijë menjëherë në ekipin e të rriturve. Foda e sheh ‘Yllin’ si një element që mund të bëjë diferencën në repartin ofensiv, falë shpejtësisë, teknikës dhe instiktit të golit.
Edhe Shqipëria ka nisur lëvizjet e saj për ta bindur sulmuesin të veshë fanellën kuq e zi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka (63), ka zhvilluar gjithashtu bisedime direkte me familjen e futbollistit në Mynih. Aktualisht, Gashi nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa të dy federatat ruajnë kontakt të vazhdueshëm me të.
sfidanti.al

