Neymar gati për rikthimin, Santos dhe Ancelotti buzëqeshin

Pas një periudhe të gjatë mungese, Neymar është pranë një tjetër rikthimi në fushën e blertë. Sipas mediave braziliane, sulmuesi i famshëm është në rrugën e duhur për t’u rikuperuar plotësisht dhe për të qenë gati në ndeshjen e ‘Copa do Brasil’ më 23 maj, kur Santos do të përballet me ‘Clube de Regatas’. ‘Ylli’ i lindur në vitin 1992 pësoi një dëmtim tjetër në kofshë më shumë se një muaj më parë, në sfidën ndaj Atlético Mineiro, por tashmë duket se ka lënë pas problemet fizike. Ai pritet të udhëtojë me skuadrën që javën e ardhshme dhe ka gjasa të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e radhës.

Rikthimi i Neymar-it nuk është i rëndësishëm vetëm nga ana sportive. Ai mund të ndikojë pozitivisht edhe në negociatat për rinovimin e kontratës, të cilat janë në një fazë të avancuar. ‘Ylli’ brazilian është larguar gjithnjë e më shumë nga ideja e rikthimit në Evropë dhe duket i vendosur të vazhdojë aventurën e tij në Brazil, të paktën deri në Kampionatin Botëror 2026. Me 3 gola dhe 3 asistime në vetëm 7 ndeshje që nga rikthimi i fundit, Neymar dëshiron të mbyllë karrierën me një Kupë Bote në krye, një objektiv që e ka ndjekur gjithmonë.

Ky lajm është një frymëmarrje edhe për Carlo Ancelottin, trajnerin aktual të përfaqësueses së Brazilit, i cili ka nevojë për figura të qëndrueshme dhe liderë në fushë për të ndërtuar skuadrën e tij. Pritshmëria është e lartë, jo vetëm te tifozët brazilianë, por edhe te vetë selektori italian, që shpreson të ketë sa më shpejt në dispozicion një Neymar të shëndetshëm dhe plot fantazi.

sfidanti.al