Nejmar-Pogba, ai ishte vërtet “vera e bllofit” nga Barça e Reali?!

Gjysma e parë e fabulës ishte përmendur edhe më parë, ajo që katalanasit nuk ishin shumë të interesuar për Nejmarin, por i bënë përpjekjet për të kënaqur kapitenin e tyre, Lionel Mesin, që e kërkonte me çdo kusht. Tashmë, mediat kryesore europiane po shkruajnë se ishte lojë edhe përpjekja e Realit për të marrë Pol Pogbanë nga Mançester Junajtid, dhe gjithçka u bë që të plotësohej dëshira e Zidanit.

Dy transferime të tillë është e pamundur të bëhen me “gjysmë zemre”, dhe duket se ky ishte shkaku që nuk u realizuan. Natyrisht, Barça pati edhe probleme të tjera, pasi Paris SG kërkoi shumë për brazilianin, rreth 300 milionë euro, dhe besohet se nuk pranoi formulë me lojtarë në shkëmbim. Reali gjithashtu nuk i kishte financat për Pogbanë, pasi 180 milionë euro mund të gjendeshin vetëm nëse fitoheshin para nga kartonët e Bejlit, Hames Rodrigezit apo Kejlor Navasit, diçka që nuk ndodhi. Ka shumë mundësi që katalanasit ta provojnë në 2020 për Nejmarin, dhe madrilenët po ashtu ta tentojnë sërish kampionin e botës.

Sfidanti.al