Pas 3 përballjesh në kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, Kombëtarja jonë ka arritur të fitojë 2 përballje ndaj Moldavisë e Ishujve Faroe, duke arritur të renditet e 2-ta, në grupin E, me 6 pikë, vetëm 1 pas Republikës Çeke dhe përballja e radhës do të jetë pikërisht ndaj këtyre të fundit.
Mbrëmjen e 7 shtatorit, “legjionarët” do të udhëtojnë drejt Pragës, aty ku do të ndeshen me vendasit çek, ku objektivi kryesor është shmangja e një humbjeje ndaj favoritëve të grupit e për këtë arsye Kombëtarja meriton mbështetje maksimale dhe një gjë të tillë do të ketë, teksa është raportuar se 800 biletat, që ishin në dispozicion të tifozerisë shqiptare janë shitur të gjitha e mesa duket të gjithë tifozët po fillojnë të besojnë te “ëndrra evropiane”.
sfidanti.al