Një derbi në Stamboll nuk thuhet kot që është i tmerrshëm. Kjo, duket, edhe kur luhet në nivelin e moshave deri 17 vjeç, por habia më e madhe është sesi gjyqtari mund të gabojë në këto kampionate, ku presioni është shumë më i vogël sesa në Superligë. Ndodhi në derbin mes Fenerbahçes dhe Gallatasarajit për U17, ku një lojtar i Fenerit bëri një ndërhyrje nga ato që cilësohen “për në burg”.
Gurkan Bashkan, edhe pse në moshë fare të re, dhe në një ndeshje pa asnjë rëndësi “kampionale” apo financiare, nuk ngurroi të bënte një ndërhyrje me agresivitet dhe rrezikshmëri të skajshme, shumë larg nga porta e ekipit të tij. Me takat të ngritura lart, ai u hodh me sy mbyllur ndaj kundërshtarit, duke e goditur fort në këmbë, fare pranë gjurit. Tronditje edhe më të madhe bëri veprimi i gjyqtarit që i dha Bashkanit vetëm karton të verdhë. Tifozët e Gallatës nuk ngurruan ta tregonin veten duke hedhur sende të forta drejt ndihmës gjyqtarit, Tark Ongun, duke e goditur në kokë.
Sfidanti.al