Që në Napoli janë të çmendur për futbollin, kjo tashmë nuk përbën asnjë risi. Dashuria për lojën më të bukur në botë, duket se këtë herë i ka kaluar kufijtë, kjo pasi në Napoli janë në pritje të kurorëzimit si kampion për here të 4. Serie A është futur në javën e fundit dhe vendimtare për titullin kampion. Napoli kryeson renditjen me një pikë më shumë se Interi i vendit të dytë. Të kaltrit e Antonio Contes do të luajnë në shtëpi ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit. Napoli ka mundësinë të festojë në stadiumin “Maradona” titullin kampion, në rast të një fitoreje. Interesi për këtë ndeshje ka qenë i çmendur. Kompania e biletave njoftoi se shitja do të niste në orën 15:00 dhe ishin mbi 400 mijë tifozë që kërkonin biletë. Interesime të mëdha, nga tifozët që duan ta ndjekin ekipin e tyre në stadium në këtë sfidë të veçantë. Në rast fitimi të trofeut, festa do të zhvendoset edhe në qytet.
sfidanti.al