Murinjo është “100 për qind Totenhem”, por sa vështirë kundër Lampardit!

Ai është një profesionist dhe shkon atje ku nënshkruan kontratat. Zhoze Murinjo nuk është nga ata që preket shumë nga nostalgjia, por gjithsesi një Totenhem-Çelsi është peshë e rëndë edhe për zemrën e tij. Portugezi drejtoi blutë në dy periudha, duke fituar 3 tituj kampion, përveçse kupa të tjera, ndërsa përballë tij do të jetë një nga lojtarët më të mirë që ka drejtuar ndonjëherë, Frenk Lampardi. Ish-mesfushori është sot trajner i Bluve të Londrës, ndërsa Zhoze është në stolin e Totenhemit.

“Unë jam gjithnjë 100 për qind me klubin në të cilin ndodhem, – tha Murinjo në konferencë, – kështu kam qenë gjithnjë, kështu jam edhe tani. Është e pamundur që të kem hapësirë për klubet e mi të mëparshëm. Kam dhënë maksimumin kur kam qenë në klubet e tjerë, kur isha tek Çelsi bëra maksimumin që tifozët të ishin të lumtur, tani bëj maksimumin që të jenë të lumtur tifozët e Totenhemit. Për mua, është e lehtë ta luaj ndeshjen nga ana emocionale, vështirësia është tek fakti se Çelsi është skuadër e fortë”.

Lampardi, nga ana e tij, deklaroi se nuk po përpiqet të jetë një “klon” i Murinjos, shtoi se nuk është duel i tij me portugezin, por kryesorja është ndeshja Totenhem-Çelsi. “E respektoj Murinjon, pati ndikim të madh tek unë, është një trajner i madh, – u shpreh ai, – gjithsesi, duhet të ndeshemi për të fituar. Tifozët tanë duan fitore”.

Sfidanti.al