Formën e mirë e tregoi që para pak ditëve. Ernest Muçi realizoi një tjetër gol për Legian e Varshavës në kampionatin polak, ndërsa mbrëmjen e fundit arriti suksesin e parë të madh jashtë Shqipërisë. Sulmuesi kuqezi, bashkë me mesfushorin Jurgen Çelhaka, fituan Kupën e Polonisë pas një finaleje tepër të fortë ndaj Rakovit të Çestohovës. Përballja në Stadiumin Kombëtar në Varshavë, aty ku kombëtarja shqiptare humbi 0-1 për eliminatoret e Europianit, u vendos vetëm pas penalltive. Muçi ishte titullar, por u zëvendësua në fund të pjesës së parë pasi Legia mbeti me 10 lojtarë.
Çelhaka hyri si zëvendësues. Finalja nuk pati gola për 120 minuta, dhe tek penalltitë Legia u tregua më e saktë. Festa ishte e madhe, por po ashtu pati edhe skena që e prishën imazhin, pasi lojtarët u acaruan me njëri-tjetrin. Një titull i rëndësishëm për dy shqiptarët , që synojnë të fitojnë edhe të tjerë, ndërsa në fund lojtarët e Legia ia prishën konferencën për shtyp trajnerit të tyre, duke dashur të festonin bashkë me të.
Sfidanti.al