Milani ende në pritje për drejtorin e ri sportiv

Kërkimi i Milanit për një drejtor të ri sportiv pritet të zgjasë edhe në muajin maj, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi profilin e kandidatit të dëshiruar. Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, nuk pritet që vendimi të merret në ditët e para të majit. Në mes të muajit, kuqezinjtë do të jenë të përfshirë në finalen e Kupës së Italisë, çka mund ta shtyjë edhe më tej përzgjedhjen e strukturës së re drejtuese. Pranvera është sezoni i verdikteve, si në fushë – ku për Milanin mbetet vetëm finalja e Kupës – ashtu edhe jashtë saj. Është periudha kur ndërtohen skuadrat e reja, caktohen drejtimet. E në këtë aspekt, procesi i “casting”-ut për rolin e drejtorit sportiv nuk është mbyllur ende. Do të nevojitet edhe pak kohë. Pozicioni i drejtorit sportiv është i dyti për nga rëndësia në klub, ndaj reflektimet e CEO-s, Giorgio Furlani, janë të thella. E vërtetë që skuadra ka një bazë të fortë mbi të cilën mund të ndërtohet një cikël i ri, por është thelbësore t’i ofrohet një trajner i duhur dhe një merkato verore që e përforcon atë. Në këtë kontekst, Furlani ka takuar personalisht Igli Taren, ish-drejtor sportiv i Lazios, dhe kontaktet me të janë përditësuar së fundmi. Shqiptari është një nga opsionet serioze që klubi po vlerëson për të ardhmen. Tare është një profil tradicional, shumë i vlerësuar për njohuritë e tij të thella dhe personalitetin e fortë në botën e futbollit.

Ai mbajti këtë rol për plot 15 vite te Lazio, ku ishte pika referuese e gjithë zonës teknike të bardhekaltërve. Pas ndarjes me presidentin Claudio Lotito në verën e vitit 2023, pas 18 vitesh bashkëpunim (3 si lojtar, 15 si drejtues), Tare është i lirë në treg dhe mund të firmosë me çdo klub. Për momentin, vendimi i Milanit mbetet pezull – por emri i Igli Tares vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve.

sfidanti.al