Mesi sjell golin edhe kur del “huq”

Shënoi një gol dhe krijoi një tjetër, duke qenë “rrezja” më e madhe e “dritës” në stadiumin “Filips” të Ajndhovenit. Lionel Mesi tregoi sërish sesa vendimtar është për Barcelonën, ndërsa siguroi fitoren në Holandë për Championsin. Jo vetëm shënoi një supergol individual, pas kombinimit me Dembelenë, por i dha mundësinë Gerard Pikesë që të dyfishonte rezultatin.

Shumëkush pyeti, nëse Mesi pasoi drejt Pikesë me dashje, apo ashtu mori trajektore topi. Vetë “Pleshti” sqaroi me ndershmëri se “unë doja të gjuaja, por gjuajtja doli shumë e dobët, dhe Pike e shtyu topin për në rrjetë”. Pra, edhe kur ai del “huq”, sërish nga këmbët e tij krijohen gola.

Mesi mbetet legjendar në statistikat e karrierës, në tërësi. Ai ka në total, më shumë gola-asistë sesa ndeshje të luajtura. Konkretisht, Leo ka zhvilluar 780 ndeshje në karrierë (Barcelona+Argjentina), ka shënuar 632 gola dhe ka shërbyer 260 asistë (në total 892 gola dhe asistë ndaj 780 ndeshjeve).

Sfidanti.al