Merlini, rosa që po shndërrohet në yllin e Kupës së Botës

Një personazh i pazakontë po tërheq vëmendjen e mijëra tifozëve gjatë Kupës së Botës 2026 në Meksikë. Merlini, një rosë dyvjeçare e veshur me fanellën jeshile të kombëtares meksikane, është kthyer në një fenomen viral dhe një nga figurat më të dashura të turneut.

Gjithçka nisi kur pronarja e tij, Karla Ivette Gomez, u filmua duke ecur në rrugët e Meksiko Sitit me Merlinin pranë saj. Videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe brenda pak ditësh rosa fitoi famë kombëtare.

FIFA e ka quajtur madje ambasadoren e Meksikës, ndërsa kombëtarja publikoi një imazh simbolik ku Merlini fluturonte mbi stadiumin e Guadalajarës. Fanella me numrin 12, simbol i tifozëve, është bërë marka e tij dalluese.

Popullariteti i Merlinit ka shkuar aq larg sa furra buke prodhojnë ëmbëlsira me figurën e saj, ndërsa televizione të ndryshme e ftojnë për ”analiza” të ndeshjeve. Përgjigjja e saj ndaj pyetjeve sportive mbetet gjithmonë e njëjtë ”kuak, kuak, kuak”.

Në sheshin historik “Bellas Artes”, dhjetëra gazetarë dhe qindra kalimtarë mblidhen për ta parë nga afër. Sapo mbërrin, njerëzit nxitojnë të bëjnë foto dhe video, duke e trajtuar si një yll të vërtetë.

“Nuk e imagjinuam kurrë se do të bëhej kaq e famshme”, thotë Karla Gomez. Merlini ushqehet me fruta, perime, peshk dhe insekte, por pronarja pranon me humor se herë pas here rosa shijon edhe ndonjë taco meksikane.