Me afrimin e Adnard Mehmetit nga Partizani, Vllaznia duket se ka plotësuar një nga boshllëqet më të rëndësishme të merkatos së saj verore. Prej javësh, drejtuesit kuqeblu ishin në kërkim të një mesfushori me tipare organizatori, një futbollisti që të merrte përsipër ndërtimin e lojës dhe të jepte më shumë qartësi në fazën sulmuese. Tashmë, me mbërritjen e 25-vjeçarit në Shkodër, duket se ky objektiv është arritur. Mehmeti është një profil që i kishte munguar skuadrës së Edi Martinit. Përveç cilësive teknike dhe vizionit në fushë, ai pritet të sjellë më shumë ekuilibër në repartin e mesfushës, duke qenë lojtari që lidh mbrojtjen me sulmin dhe që merr përgjegjësinë për ritmin e lojës. Pikërisht ky ishte një element që Vllaznia kishte kërkuar prej kohësh, sidomos pas ndryshimeve të shumta në organikë gjatë kësaj vere. Ardhja e tij e mbipopullon edhe më shumë repartin e mesfushës, aty ku Martini tashmë ka alternativa të shumta për çdo rol.
Konkurrenca pritet të jetë e fortë, por njëkohësisht kjo i jep trajnerit shkodran më shumë mundësi për të zgjedhur formacionin ideal, në varësi të kundërshtarit apo skemës taktike që do të përdorë. Një luks që deri pak javë më parë mungonte në kampin kuqeblu. Megjithatë, merkatoja e Vllaznisë nuk konsiderohet ende e mbyllur. Edhe pse mesfusha tashmë duket e kompletuar, drejtuesit dhe stafi teknik janë të përqendruar në afrimin e tre përforcimeve të tjera cilësore, të cilat do t’i jepnin ekipit një tjetër nivel përpara nisjes së kampionatit.

