Mendon Xherdan Shaqiri për të bërë të harrohet Beogradi

Nga një përforcim i mirë është kthyer në një lojtar thuajse të domosdoshëm. Xherdan Shaqiri ia mori “me dhunë” Jurgen Klopit vendin në formacion, dhe pasi provoi disa herë, tashmë gjithçka që del nga këmbët e tij kthehet në “ar”. Mungesa e shqiptaro-zviceranit padyshim u ndje në Beograd, në humbjen 0-2 në Champions ndaj Crvena Zvezdës, por ja që “muzika” ndrysho sapo Liverpuli u kthye në Angli.

Fitore 2-0 ndaj Fulhamit në “Anfild”, me gola të Mohamed Salahut dhe pikërisht të Shaqirit, nga një në secilën pjesë loje. Miqtë nuk patën fat me gjykimin kur iu anulua një gol i sulmuesit serb, Mitroviç, që u duk i rregullt, dhe vetëm 14 sekonda më pas, Salah kaloi vendasit në epërsi.

Shaqiri luajti për 81 minuta dhe u vlerësua me një notë mjaft të lartë, 7.5, po aq sa Mohamed Salah, duke qenë dy nga më të mirët për ekipin e Klopit (mbrojtësi Robertson mori notën 8). Liverpuli luajti keq në pjesën e parë, duke e ndjerë goditjen e marrë në Serbi, por goli i egjiptianit bëri që gjërat të ndryshonin dhe fitorja të ishte jo me shumë mundim.

Liverpuli u ngjit në kuotën e 30 pikëve në Premier Ligë, me 3 gola të shënuar e vetëm 5 të pësuar, dhe misioni “titull” vazhdon të realizohet me sukses. Nëntë fitore, tre barazime e zero humbje, është bilanci në kampionat deri tani këtë sezon.

Sfidanti.al