Tirana, “e sëmura” e Superligës, Mema mendon largimin pas Luftëtarit!

Po shkon keq e më keq, dhe nuk dihet nëse mund të ketë shpresë. Tirana e madhe, 24 herë kampione dhe që dominonte kampionatet shqiptare, është kthyer në “të sëmurën” e Superligës, siç e tregoi edhe në Gjirokastër.

Tjetër disfatë, këtë herë në fushën e Luftëtarit, në javën e 13-të, dhe sërish një ekip që nuk arrin të luajë futboll për 90 minuta. Edhe pse kryeqytetasit kaluan të parët në epërsi me anë të afrikanit Sentamu, sërish nuk ditën të kontrollonin ndeshjen, e të ruanin rezultatin.

Luftëtari i trajnerit Genatian Mezani meritoi gjithçka, të paktën për rastet që krijoi dhe për forcën psikologjike që tregoi në momentet më të vështira. Fillimisht, barazoi me anë të Vasil Shkurtajt, menjëherë pas pushimit, ndërsa në minutat e fundit ktheu epërsinë në gol, me atë të brazilianit Dunga.

Trajneri tiranas, Ardian Mema, mbeti sërish tepër i zhgënjyer me ekipin e tij, madje pas ndeshjes deklaroi se po mendonte dorëheqjen. Me këtë humbje, Tirana ka vetëm 10 pikë, duke qenë shumë pranë vendit të fundit.

Luftëtari, po ashtu, është keq në renditje, por tashmë u shkëput tri pikë përpara bardhebluve, dhe ka më shumë shpresë për mbijetesën.

Në ndeshjen tjetër të luajtur paralelisht me atë në Gjirokastër, Kastrioti arriti një fitore të thellë 3-0 ndaj Kamzës, duke mbetur me shpresë për të mbijetuar në Superligë.

Sfidanti.al